Vëllau i Pablo Escobar ka një këshillë për ekipin e serialit ‘Narcos’

1:13 pm 21.09.17

    (nga e majta) Pablo Escobar, Roberto Gaviria

 

71 vjeçari Roberto De Jesus Escobar Gaviria, vëllau i bosit famëkeq të drogës, Pablo Escobar, ka folur pas vdekjes së një anëtari të grupit mbrapa serialit amerikan ‘Narcos’.

Ditë më parë, afër Temascalapa në pjesën qendrore të Meksikës, u gjet i vrarë Carlos Munoz Poral, menaxher i ekipit që po fotografonte lokacione të reja për serialin televiziv ‘Narcos’.

Në një intervistë për Hollywood Reporter, vëllau i Pablo Escobar ka këshilluar kompaninë Netflix, që realizon serialin, që të angazhoj vrasës me pagesë (hitmen) për të mbrojtur njerëzit e vet.

“Duhet të eliminosh të gjitha reziqet. Kur po ecja në xhungël një ditë, kisha një çantë me 2 milionë dollarë në kartmonedha 100 dollarëshe. Ushtria po na kërkonte mua dhe Pablon. Papritmas, ata filluan të na qëllojnë.

“Të dy, unë dhe Pablo, bashkë me disa njerëz nga sigurimi, filluam të vrapojmë drejt një kanali të vogël me ujë, dhe u larguam duke notuar. Kjo u bë e gjitha pa armë.

“Nëse ke intelektin, nuk të duhet të përdorësh armët. Nëse jo, duhet ta bësh. Në këtë rast, Netflix duhet të sigurojë vrasës me pagesë për të siguruar njerëzit e vet.” Ka thënë 71 vjeçari, i cili gjatë viteve 1980-ta njihej si “shefi i vrasësit” dhe ishte kontabilisti kryesor i perandorisë kriminale të vëllaut të tij.

Gaviria u arrestua në vitin 1993 dhe u fut në burg. Një letër-bombë i shkakoi atij dëme në sy dhe në të dëgjuar. Dhjetë vite më vonë ai u lirua.

Më 2014 ai themeloi kompaninë Escobar Inc. Më 2016 ai i dërgoi një letër kompanisë amerikane Netflix duke i kërkuar 1 miliardë dollarë për përdorimin e paautorizuar të përmbajtjeve rreth historisë së vëllaut të tij.

“Netflix janë të frikësuar. Ata na dërguan një letër të gjatë duke na kërcënuar. Tani, jemi në bisedime me ta përmes avokatëve tanë Browne George Ross LLP për të pranuar pagesën prej 1 miliardë dollarë. Nëse nuk e marrim këtë shumë, ne do të mbyllim shoun e tyre të vogël.” ka thënë Gaviria.

“Ne zotërojmë të drejtat për gjithë emrat tonë dhe për brendin Narcos. Unë nuk luaj me këta njerëz në Silicon Valley. Ata kanë telefonët e tyre dhe produktet e mira. Por, ata nuk e njohin jetën dhe kurrë nuk do të guxonin të mbijetonin në xhunglën e Medellin apo të Kolumbisë. Unë këtë e kam bërë.

“Nënat e tyre është dashur t’i mbajnë ata në mitër. Kështu u themi njerëzve të tillë nëse vijnë në Kolumbi.”

Kur është pyetur se për sa vdekje e mban veten dhe vëllaun përgjegjës, direkt apo indirekt, Gaviria nuk ka pranuar të komentoj.

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM