Turku që mashtroi biznesmenë shqiptarë dhe një kosovar

6:13 pm 04.10.17

 

Një shtetas turk ka arritur të përvetësojë mbi 100 mijë euro nga dy biznesmenë shqiptarë dhe një kosovar duke i mashtruar ata dhe më pas duke u zhdukur.

Prokuroria e Tiranës hetoi dhe dërgoi për gjykim në mungesë shtetasin turk Yasin Pekdemir, për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda, transmeton Gazeta Shqip.

Nga hetimet e kryera si dhe nga dëshmitë e tre biznesmenëve të mashtruar, turku Pekdemir u sillte atyre kallëpe për prodhimin e materialeve të ndryshme plastike. Por kallëpet rezultonin me probleme dhe Pekdemit u merrte sërish lekë biznesmenëve për t’i riparuar apo zëvendësuar ato dhe pasi u ka marrë tre biznesmenëve lekë edhe për shitjen e kallëpeve edhe për riparimin apo zëvendësimin e tyre, është zhdukur pa lënë gjurmë, duke përvetësuar një shumë që i kalonte 100 mijë euro.

Fillimisht, këtë skemë mashtrimi e pësoi një biznesmen nga Fieri, më pas një tjetër nga Durrësi dhe në fund viktimë e këtij skenari mashtrimi kishte rënë edhe një biznesmen kosovar.

Aktualisht dosja në ngarkim të Yasin Pekdemir ndodhet në Gjykatën e Tiranës, ndërsa policia ka nisur kërkimin e shtetasit turk, i cili rrezikon një dënim që shkon deri në 10 vite burgim. Nëse ai nuk gjendet, atëherë procesi sipas parashikimeve të reja të kodit të procedurës, pezullohet për një vit për të rifilluar më pas në mungesë të të akuzuarit.

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM