Trupi i Salvador Dalit do të zhvarroset

6:59 pm 26.06.17

 

Një gjykatë në Madrid ka dhënë urdhër që trupi i piktorit Salvador Dali të zhvarroset pas pretendimeve nga një zonjë se ajo është vajza e artistit.

Maria Pilar Abel Martinez, e lindur më 1956, beson se është vajza e Dalit. Këtë ajo e mbështet në rrëfimin e nënës së saj e cila i ka thënë disa herë se Dali është babai i saj.

“E vetmja gjë që më mungon janë mustaqet,” citohet të ketë thënë ajo nga gazeta El Mundo, transmeton BBC.

Zonja Martinez thotë se nëna e saj ka pasur një marrëdhënie klandestine me piktorin, gjatë vitit 1955.

Ajo thotë se nëna e saj, Antonia, ka punuar për një familje që qëndronte në Cadaques, pranë shtëpisë së piktorit. Në vitin 1955 ajo kishte lëshuar punën dhe ishte larguar në një qytet tjetër.

Znj. Martinez, një lexuese e letrave tarot, lindur në Girona, e ka bërë kërkesën e saj për trashëgimi për herë të parë në vitin 2015.

 

 

Tani, gjykata ka bërë me dije se nuk ka mbetje biologjike dhe as objekte personale nga Salvador Dali që mund të përdoren për testin e nevojshëm. Piktori vdiç më 1989 në Spanjë, në moshën 85 vjeçare.

Në kohën për të cilën flitet të ketë ndodhur kjo marrëdhënie, Dali ishte i martuar me muzën e tij Gala, lindur Elena Ivanovna Diakonova. Çifti nuk ka pasur fëmijë.

Kërkesa e znj. Martinez e vë atë përballë shtetit spanjoll i cili gëzon të drejtën e trashëgimisë së artistit.

Avokati i znj. Martinez ka thënë se ende nuk është caktuar një datë për zhvarrosjen e trupit, por që mund të ndodh brenda korrikut.

Ndërkohë, Fondacioni Dali ka thënë përmes një deklarate se do të apeloj kundër këtyre pretendimeve për trashëgiminë e artsitit.

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM