Trump: Jerusalemin e njohim si kryeqytet të Izraelit

7:32 pm 06.12.17

 

Në një paraqitje para mediave gjatë ditës së mërkurë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se vendi i tij tani e tutje e njeh zyrtarisht Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

“Kam vendosur se është koha ta njohim zyrtarisht Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Derisa presidentët e mëparshëm (v.j. amerikanë) e kanë bërë këtë premtim të madh, ata nuk e kanë realizuar. Sot, unë po e realizoj”, tha Trump, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Izraeli e mirëpriti lajmin, por palestinezët dhe udhëheqësit arabë, ashtu si dhe aleatët kyçë të SHBA-së, e paralajmëruan Trumpin se ky veprim rrezikon të nxisë dhunë në gjithë Lindjen e Mesme dhe të komplikojë procesin e paqes.

Vendimi i Trumpit për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit paraqet ndryshim të politikës amerikane që statusi i qytetit të vendoset në negociata me palestinezët, të cilët duan që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqytet i shtetit të tyre të ardhshëm.

Trump tha se dëshiron të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për të ndihmuar arritjen e një marrëveshjeje të paqes, të pranueshme edhe për izraelitët, edhe për palestinezët.

 

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM