Top 5 personalitetet shqiptare të vitit 2017, sipas radios Urban FM

5:45 pm 29.12.17

Duke vazhduar me traditën e fund-viteve të kaluara, edhe kësaj radhe kur po përcjellim ditët e fundit të 2017-ës, stafi i Radio Urban FM ka bërë përzgjedhjen e top 5 personaliteteve më të suksesshme të Kosovës dhe kombit shqiptar e që me moralin, punën, kreativitetin, guximin dhe mençurinë kanë siguruar admirimin e qytetarëve por edhe kanë kapur majat botërore në fushën e tyre përkatëse duke ndikuar kështu pozitivisht në imazhin e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

 

 

 

5.  Granit Xhaka lojtari i FC Arsenal vazhdon të jetë futbollisti më i paguar shqiptar. T`ju përkujtojmë Xhaka kaloi në Arsenal vitin e kaluar (qershor 2016) për shumën prej 35.3 milion funta (42 milion Euro). Konkretisht paga javore e Xhakes është 110 mijë funta në javë që shkon në rreth 5 milion Euro në vit. Sa për krahasim, Xherdan Shaqiri që luan në ekipin tjetër të elitës angleze Stoke City, ka pagën javore përgjysmë më pak se Xhaka, vetëm 65 mijë funta.

Siç dihet në Arsenal luan edhe një shqiptar tjetër me pasaportë gjermane Shkodran Mustafi i cili lirisht mund të ishte i përfshirë në këtë top listë. Megjithatë vendosëm për Xhakën pasi që ai, jo vetëm me lojën por edhe me angazhimin, dedikimin dhe sharmin e tij në dhe jashtë fushës është bërë një nga lojtarët më të dashur të tifozëve të Arsenalit. Në anën tjetër, përkundër lojërave relativisht solide (shënojë gol në fitoren e fundit të Arsenalit kundër Crystal Palace), marrëdhëniet e Mustafit me Vengerin nuk janë edhe më t`mirat në botë, prandaj mediat angleze gjatë gjithë vitit kanë raportuar se në dritaren e transfereve Venger do ta shes mbrojtësin shqiptar nga Struga.

 

 

 

 

4.  Laura Mersini – Houghton, shkencëtarja shqiptare e lindur në Tiranë, momentalisht konsiderohet si një nga kosmologjistet dhe astrofizicientet më të respektuara në qarqet akademike shkencore në mbarë botën, pasi që gjatë këtij viti edhe në mënyrë praktike, me matjet që kanë mundësuar teleskopët gjigant të NASA, janë vërtetuar disa hipoteza të saja që thënë thjesht po ndikojnë që të ndërrohet tërësisht mënyra se si është sqaruar deri tash themelimi i gjithësisë. Zonja Mersini vlerëson se nuk ka ndodhur vetëm një big bang, por shumë big bangs dhe si e tillë është përfaqësuesja kryesore e “multiverse theory” që arsyeton se ne jetojmë dhe shohim vetëm një nga shumë universe paralele. Laura Mersini – Houghton, jeton dhe vepron në ShBA duke udhëhequr departamentin përkatës në Universitetin e North Carolina në Chapel Hill. Ajo mban disa tituj doktor shkence që i ka mbrojtur në disa universitete amerikane ku vazhdoi karrierën pasi përfundoi studimet dhe doktoraturën në Universitetin e Tiranës.

 

 

Në linkun më poshtë mund të shihni trailerin e dokumentarit të BBC Horizon,Which Universe Are We In ku zonja Mersini sqaron matjet që kanë vërtetuar teorinë e saj mbi fushat e shumta të gravitetit dhe ekzistimin e shumë universeve.

 

 

 

 

 

 

3.  Albini Kurti, politikani më i votuar në Kosovë. Themeluesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në zgjedhjet e fundit parlamentare të Kosovës ishte më i votuari nga qytetarët e Kosovës. Duke marrë mbi 143 mijë vota z. Kurti i la mbrapa me dhjetëra mijëra vota, politikanët që deri në atë moment vlerësoheshin si favorit për të fituar. Si kandidati zyrtar për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, partia e vetme politike që garoi vet pa hyrë në koalicion parazgjedhor me as edhe një parti të vetme, Albin Kurti ishte motori kryesor i suksesit të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e qershorit, e cila tash në Kuvendin e Kosovës ka më së shumti deputet 32, pesë më shumë se LDK e dyta dhe 9 më shumë se PDK e treta. Të ju përkujtojmë se në vitin 2010, LVV fitoi vetëm 14 mandate gjersa në 2014 16 mandate.

“Albin Kurti është një shqiptar i kulturuar, një shqiptar i denjë, një shqiptar i ri që mua më pëlqen prandaj edhe unë do ta votoja” kishte komentuar suksesin e LVV-së kryeministri Edi Rama gjersa intelektuali shqiptar Fatos Lubonja do të shprehet: “ Lëvizja Vetëvendosje paraqet shpresë për qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë”.

 

 

 

 

2.  Dervish Gashi, veterani i UÇK-së, trimi – heroi i shpallur nga qyteti i Londrës dhe nga Metropolitan Police për shkak të trimërisë së treguar në natën e së shtunës së 3 qershorit 2017, kur 3 terrorist, përkrahës të ISIS-it, fillimisht me kamion në London Bridge e pastaj me thika në Borough Market sulmuan qytetarët, të rinjtë që po kalonin natën duke u argëtuar në lokalet e mbushura përplot siç bëhet çdo të shtune në Londër. Tre terroristët do të fillojnë të godasin gjithandej qytetarët duke vrarë 8 dhe lënduar 48 veta. Padyshim që numri i të vrarëve dhe të lënduarve do të ishte edhe më i madh po të mos ishte veprimi i menjëhershëm i ish ushtarit të UCK-së, Operacioni Shigjeta, Pashtrik 99, Dervish Gashit nga Ferizaj i cili në vitet e fundit jeton dhe vepron si bar menaxher në Londër. Duke reaguar me shpejtësinë e bazuar në instinktin e ushtarit , Dervishi arrin që t`ju del përpara terroristëve dhe duke organizuar mbrojtjen me pjesëtarët tjerë të stafit, shpëton  jetën e qindra klientëve të restuarantit  që e menaxhon në Borugh Market në Londër.

 

 

Për heroizmin e tij kanë raportuar në vazhdimësi mediat angleze në ditët pas këtij sulmi, gjersa do të nderohet edhe zyrtarisht si hero nga autoritetet e sigurisë së qyteti të Londrës (fotot nga ceremonia e marrjes së mirënjohjes).

 

 

 

 

1.  Dua Lipa, këngëtarja më e dëgjuar e vitit 2017 në Britani të Madhe (most streamed artist in UK). Me mbi 700 milion klikime në youtube, me arritjen në vendin e parë të top-listës zyrtare të Mbretërisë së Bashkuar, UK Top 40, që do të thotë shitjet më të mëdha të singlit por edhe për shkak të mesazhit që përcjell, kanga New Rules bëri që Dua Lipa të lenë shumë mbrapa emrat e njohur të pop skenës botërore si Rihanna, Katy Perry etj. Për më shumë,

Dua Lipa do të nderohet edhe për deklaratat e saja për fuqizimin e pozitës së femrës në shoqëri, duke u shprehur qartë kundër ngacmimit dhe abuzimit seksual, kundër dhunës ndaj femrave të reja, një dukuri në rritje në Britani të Madhe si dhe duke përkrahur pa rezervë këngëtaret e reja në industrinë muzikore. “ Ne vajzat e kemi për detyrë të ndihmojmë vajzat tjera. Ka një vend të posaçëm në ferr për femrat që nuk ndihmojnë femrat” citohet të ketë thënë Dua Lipa. Në pjesën e dytë të 2017, krahas marrjes së shpërblimit Best New Act nga MTV Europe, Dua e kaloi në një turne të madhe në kontinentin amerikan.

Suksesi i saj nuk kaloi pa u vlerësuar edhe nga revista prestigjioze Time Magazine e cila duke e shpallur si një nga personalitetet e vitit, realizoi edhe profil reportazhin që mund t`a shihni në linkun në vazhdim.

 

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM