Themeluesi i ‘Rolling Stone’ e qet revistën në shitje 

11:03 am 18.09.17

 

Themeluesi dhe botuesi i revistës së mirënjohur amerikane Rolling Stone ka vendosur t’i shes aksionet e tija.

Jan Wenner e nisi revistën më 1967 në San Francisco bashkë me kritikun e muzikës, Ralph Gleason.

Që nga ajo kohë, revista Rolling Stone ka qenë e njohur më së shumti për fytyrat e famshme të vendosura në ballinën e saj, përfshirë personalitete nga muzika, kultura, arti, por duke mos munguar edhe politika dhe fushat e tjera shoqërore.

Muzicientë të njohur si Jim Morrison i grupit The Doors, e deri te Madonna dhe Lady Gaga, kanë qenë personazhet që zunë vend në ballinën e revistës, aty ku nuk munguan edhe presidentë, aktorë, e madje edhe Papa.

Siç shkruan edhe BBC, ndoshta fotoja më e njohur e vendosur në ballinën e kësaj reviste ishte ajo e këngëtarit John Lennon i cili pozoi nudo pranë gruas së tij, Yoko Ono. Kjo foto u bë e njohur, deri diku, pasi vetëm pak orë mbasi ajo ishte realizuar, ndodhi vrasja e Lennon.

 

 

Mëgjithatë, revista pësoi dëm në reputacionin e vet kur në vitin 2014 publikoi një artikull rreth dyshimeve për një dhunim në kampusin e Universitetit të Virginias. Ky doli të jetë një shkrim fals dhe më 2015 revista tërhoqi artikullin dhe pranoi të paguaj për dëmet e shkaktuara.

“Kemi bërë hapa të mëdhenj në transformimin e Rolling Stone në një kompani multi-platformë,  dhe jemi të entuziazmuar për  të gjetur shtëpinë e duhur për të ndërtuar mbi themelin tonë të fortë,” thuhet në komunikatën e lëshuar nga Gus Wenner, presidenti i kompanisë Wenner Media.

Komunikata nuk ka treguar nëse kompania është në bisedime me ndonjë blerës potencial.

Pjesë e aksioneve të revistës Rolling Stone është edhe kompania me bazë në Singapor, BandLab Technologies e cila zotëron 49% të aksioneve.

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM