Thaçi: Ta dëgjojmë SHBA-në, pa të BE-ja, NATO dhe njohjet mbesin ëndërr

8:53 pm 25.02.19

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë në ‘Report TV’ ka folur për taksën edhe insistimin e SHBA-ve për ta larguar atë. Thaçi kërkoi që këshilla e SHBA-së për heqjen taksës me Serbinë të dëgjohet, pasi pa mbështetjen e Amerikës, integrimi në NATO, BE apo edhe njohjet mbesin ëndërr.

“Kosova është shtet në ndërtim e sipër, në një proces konsolidues të brendshëm dhe ndërkombëtar. Nuk e ka luksin dhe nuk guxon t’i thotë “jo” këshillës së SHBA-ve. Ne, për fat të mirë, si komb jemi që prej tri dekadave të orientuar nga vlerat e civilizimit botëror. Na kanë pranuar realisht edhe Kosovën edhe Shqipërinë.”

“Është fat që Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe kurrë, edhe sot, Shqipëria nuk do të ishte pjesë e NATO-s pa vendimmarrjen e SHBA-ve dhe konkretisht të Presidentit Bush. Gjithashtu edhe Kosova nuk do të ishte e lirë dhe e pavarur pa SHBA-të. Janë naivë ata që mendojnë se do ta fitonim luftën vetë.”

“Do të përfundonim të izoluar, të rraskapitur, të ndjekur, të deportuar, spastrim etnik, gjenocid dhe pa mbështetje ndërkombëtare. Prandaj duhet shikuar se ku kemi qenë dhe ku jemi sot dhe në çfarë drejtimi do të shkojmë.”

“Realisht SHBA-të nuk kanë pakënaqësi me proamerikanizmin e popullit të Kosovës. Kanë pakënaqësi me çështje të politikave të qeverisë në Kosovë, prandaj duhet bërë dallimi në mes të partneritetit të SHBA-ve me shtetin dhe me popullin e Kosovës dhe politikën e gabuar në segmente të caktuara të qeverisë së Kosovës.”

“Kosova nuk guxon dhe nuk e ka luksin të marrë një pozicion të tillë që i kënaq, dhe këtë mund ta them lirisht, kundërshtarët e pavarësisë apo kush ka mundur të imagjinojë në këtë botë që 20 vite pas luftës, Serbia të jetë më luajale në kuptimin e qeverisë në raport me SHBA-të dhe Kosova më pak e dëgjueshme, në kuptimin e respektimit të këshillave. Por duhet kuptuar gjithashtu se ka pasur edhe vende të tjera që nuk i kanë dëgjuar këshillat e SHBA-ve, por nuk kanë përfunduar mirë.”

“Ka pasur zhvillime anekënd botës. Ka edhe sot zhvillime të tilla, kështu që gjithmonë duhet të kemi parasysh interesin strategjik të vendit tonë, shtetit të Kosovës sepse synimi është që të jemi pjesë e NATO-s, e BE-së dhe e OKB-së.”

“Mendon dikush se Kosova do të fitojë njohje të reja, anëtarësime në organizatat ndërkombëtare dhe do të lëvizë shpejt drejt NATO-s dhe BE-së, por në veçanti drejt NATO-s pa mbështetjen e SHBA-ve? Është një ëndërr, është një filozofi shumë e rrezikshme, e cila është në kundërshtim të plotë me vullnetin dominues të qytetarëve të Kosovës, me vlerat që ne përfaqësojmë dhe me bazamentin e luftës që ne kemi zhvilluar. Kështu që unë e theksoj, që dashuria në raport me SHBA-të e Kosovës është shumë më e madhe sesa respekti për taksën” tha ai./Indeksonline/

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM