Shqetësuese, rritet numri i rasteve të pedofilisë në Kosovë

2:25 pm 07.02.19

Image result for paedophilia

Gjatë dy vjetëve të fundit, në Kosovë janë shënuar 123 raste të ngacmimeve, keqtrajtimeve apo abuzimeve me fëmijë, që njihen edhe si raste të pedofilisë. Sipas autoriteteve të rendit në vitin 2017, në polici janë paraqitur si raste të pedofilisë gjithsej 62 raste, kurse në vitin 2018, janë paraqitur 61 raste të tilla.

Me moton “Përdhunuesit në burg”, qindra persona kanë protestuar të enjten para stacionit qendror të Policisë së Kosovës në Prishtinë, në kërkim të përgjegjësisë ligjore dhe drejtësisë, lidhur me dyshimet për përdhunimin sistematik të një të miture në Drenas, nga profesori i saj e më pas edhe hetuesi policor – i cili e kishte marrë përsipër të hetonte rastin e përdhunimit të saj nga mësuesi.

Mediat lokale, në Kosovë, kanë raportuar se abuzimi seksual i vajzës kishte filluar kur ajo kishte vetëm 16 vjeç, fillimisht nga profesori i saj. Sipas të njëjtave raporte, pas denoncimit në polici, hetuesi policor e kishte fotografuar atë të zhveshur kinse si dëshmi – e më pas e kishte shantazhuar vajzën me të njëjtat fotografi – duke abuzuar atë seksualisht për më shumë se një vit. Po ashtu, thuhet se në fund të vitit të kaluar vajza kishte mbetur shtatzënë dhe në janar të këtij viti, zyrtari policor e kishte detyruar të kryente abort të padëshiruar në një klinikë private në Prishtinë. Para dy ditësh, i njëjti polic është suspenduar dhe arrestuar, ndërsa mësimdhënësi është suspenduar nga puna.

Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, bëri të ditur se gjatë vitit 2018 numri i rasteve të pedofilisë që janë paraqitur në polici, është më i madh krahasuar me vitet paraprake.

“Policia e Kosovës të gjitha rastet i evidenton sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, prandaj edhe rastet që kanë të bëjnë me integritetin seksual ku përshihen fëmijët, trajtohen duke u bazuar në procedurat e parapara ligjore”, thekson Hoxha.

“Policia merr veprimet e nevojshme përderisa edhe arrestimet e të dyshuarve se kanë kryer këtë vepër penale, i bën në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin dhe procedohen në gjykatat kompetente”, tha Hoxha.

Mimoza Shahini, neuropsikiatre për fëmijë, i tha REL se janë raste tepër të rralla, kur fëmijëve iu ofrohet mundësia të kërkojnë ndihmë në psikiatrinë e fëmijëve.

Për 20 vjet punë sa ajo i ka në Kosovë, thotë se kanë qenë dy raste kur prindërit me fëmijët e tyre i janë drejtuar psikiatrit të fëmijëve, për të trajtuar rastin.

“Ato raste që kanë kërkuar ndihmë, kanë ardhur nga qendra e sigurisë së lartë, ku fëmijët për shkak të veprimeve të tilla janë marrë në përkujdesje të shtetit deri sa të përfundojnë procedurat. Ndërkaq, për 20 vjet sa unë punoj në Kosovë, kanë qenë dy raste që kanë kërkuar ndihmë prindërit për fëmijët e tyre, e që kanë qenë të ngacmuara prej mësimdhënësve.

Megjithëkëtë, ata nuk ishin fokusuar te vajza plotësisht, meqë janë vetëm ata që do të mund t’i rrinin prapa për ndihmë, ata kanë ardhur me një betejë sepse ishin mësimdhënës të njohur për familjen. Shumë pak ose aspak kërkojnë ndihmë rastet e pedofilisë”, tha Shahini.

Sipas autoriteteve të rendit, gjatë vitit 2017 janë raportuar tri raste të nxitjes së akteve seksuale, prekjes apo aktiviteteve nga personat nën moshën 16-vjeçare. Në vitin 2018 janë paraqitur shtatë raste të keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi. Përderisa në vitin paraprak, pra më 2017, janë raportuar gjashtë raste të tilla.

Psikologja Ibelinda Halimi, tha se pedofilia identifikohet si çrregullim psikiatrik, që përfshin kënaqësinë seksuale me fëmijët e moshës gjashtë deri në 12 vjeç.

“Nga këndvështrimi mjekësor, pedofilia është çrregullim psikiatrik që përfshin eksitimin ose kënaqësinë seksuale që përfitohet kryesisht nëpërmjet aktiviteteve ose fantazive seksuale me fëmijë, përgjithësisht të mitur, ku ka raste edhe nën moshën gjashtëvjeçare, por kryesisht janë moshat nga gjashtë deri në 12 vjet ato që për pedofilët paraqesin joshje”, tha ajo.

“Sipas manualit për diagnostikim, kriteret e diagnostikimit të pedofilisë janë përkufizuar si përvoja të zgjimit seksual intensiv, që përfshin aktivitetet seksuale me fëmijët nën moshën 12 vjeç”, tha Halimi.

Në anën tjetër, Klevis Vaqari, nga Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve bëri të ditur se nëse një fëmijë abuzohet seksualisht nga pedofilët, e shkatërron të ardhmen e fëmijës. Andaj siç thotë ajo, si koalicion për mbrojtjen e fëmijëve, kanë kërkuar që të ashpërsohen masat e dënimit në maksimum për keqbërësit.

“Duhet të aplikohet i gjithë legjislacioni në fuqi dhe ne kemi rekomanduar ashpërsi të masave, pasi mbetet forma më e rëndë e abuzimit seksual dhe lë gjurmë për tërë jetën, duke dëmtuar zhvillimin fizik dhe psikologjik të fëmijës”, tha Vaqari.

Shfrytëzimi seksual i fëmijëve ka qenë shumë shpesh temë debati në Kosovë. Organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve kanë rekomanduar institucionet që të bëjnë punë më efektive në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, parandalimin e paraqitjes dhe fuqizimin e luftës kundër shfrytëzimit seksual, e në veçanti për përmirësimin e gjendjes së fëmijëve, viktima të keqpërdorimit seksual dhe shfrytëzimit.

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM