Shantazhohet njeriu më i pasur në botë!

7:58 pm 09.02.19

Ndodh që edhe njeriu më i pasur në botë të mos ketë mundësinë të sigurohet që mesazhet private të përfundojnë në duart e medies. Po flasim për themeluesin e “Amazon”, Jeff Bezos, i cili ka akuzuar zotëruesit e revistës amerikane “National Enquirer”, se janë përpjekur ta shantazhojnë atë me disa foto të turpshme. Sipas tij, kompania mëmë e “NE”, “American Media Inc” (AMI) i kanë kërkuar atij të ndalojë hetimet mbi mënyrën sesi ata kanë shtënë në dorë mesazhet private të tij. Bezos u nda nga bashkëshortja e tij Mackenzie gjatë muajit të kaluar. Vetëm pak orë më vonë, revista publikoi disa detaje, përfshi edhe mesazhe private, të një marrëdhënieje jashtëmartesore.

Por, çfarë pretendon Bezos? Në një postim në blogun e tij gjatë së enjtes, Bezos publikoi një “e-mail” që i është dërguar ndërmjetësve të tij nga përfaqësues të “AMI”-t, të cilët e kërcënojnë se do t’i publikojnë “foto intime” të tijat dhe së dashurës së tij, ish-prezantueses televizive Lauren Sanchez.

Miliarderi, i cili zotëron gjithashtu gazetën “Washington Post”, tha se “AMI” kërkonte prej tij të bënte një “deklaratë publike false” se publikimet për të dhe zonjën e tij nga “National Enquirer” nuk kanë qenë të motivuara politikisht. Sipas “e-mail”-eve të publikuara nga Bezos në blogun e tij, një avokat i “AMI”-t publikoi të mërkurën se fotot nuk do të publikoheshin në këmbim të një deklarate publike “që afirmon se Bezos dhe ekipi i tij nuk kanë dijeni apo baza” për të dyshuar mbi një motiv të tillë.

“Në vend që të kapitulloja përballë shantazhit dhe grabitjes, – shkruan Bezos, – vendosa të publikoj ekzaktësisht çfarë më kanë dërguar, pavarësisht kostove personale dhe sikletit që më kërcënohet prej tyre”. Më herët në blogun e tij, Bezos kishte përmendur lidhjet mes “AMI”-t dhe presidentit Donald Trump. Por ç’hyn shefi i Shtëpisë së Bardhë këtu?

Bezos ishte shprehur se, fakti që zotëron “Washington Post”-in ishte “ndërlikuese” për të, për shkak se i ka krijuar atij armiqësi me “disa njerëz të fuqishëm”, përfshi presidentin Trump, i cili është mik i bosit të “AMI”-t, David Pecker. “AMI” ka pranuar së fundi se ishte bashkëkoordinuar me Trumpin dhe drejtuesit e fushatës presidenciale për t’i paguar një modeleje të “Playboy”-t shumën prej 150 mijë dollarësh, në mënyrë që të blinin heshtjen e saj mbi marrëdhëniet e supozuara me Trumpin./iO/

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM