Reuters: Rusia përmes Facebookut provoi të spiunoj kampanjën e Macron  

8:34 am 27.07.17

 

Agjentë të intelegjencës ruse kanë provuar të përgjojnë kampanjën elektorale të presidentit francez Emmanuel Macron duke krijuar llogari false në Facebook.

Kështu raporton ekskluzivisht agjencia e lajmeve Reuters e cila bazohet në burime që tregojnë se kjo është thënë nga një kongresmen në Shtetet e Bashkuara dhe nga dy njerëz të tjerë që kanë folur rreth kësaj çështjeje.

Rusia vazhdimisht ka hedhur poshtë pretendimet se ajo ka ndërhyrë në kampanjën për zgjedhjet presidenciale në Francë.

Gjatë muajit maj, agjencitë e intelegjencës në SHBA i thanë Reuters-it se hakerë të lidhur me qeverinë ruse kanë qenë të përfshirë, por nuk është mundur të konfirmohet përmes fakteve nëse Kremlini ka dhënë urdhër për veprime të tilla.

Facebook ka konfirmuar për agjencinë e lajmeve se ka zbuluar llogari spiune në Francë dhe se ato më pas i kanë larguar nga aktiviteti në rrjetin social.

Zyrtarë të kompanisë kanë dhënë shpjegime para anëtarëve dhe stafit të komitetit kongresial amerikan rreth të gjeturave në këtë fushë. Njerëz të përfshirë në këto biseda kanë thënë se numëri i llogarive në Facebook që janë suspenduar në Francë pasi kanë shpërndarë propagandë apo informacione të rreme – shumica nga to të lidhura me zgjedhjet në Francë –  është rritur në 70,000, një ngritje kjo shumë e lartë në dallim me numrin 30,000 të llogarive të mbyllura bërë me dije nga kompania gjatë muajit prill.

Është mjaft interesante mënyra se si këta krijues të llograrive false në Facebook kanë vepruar.

Kampanja e përgjimit të zgjedhjeve ka përfshirë agjentë rusë të cilët janë paraqitur si miqë të miqëve të kandidatit Macron, në kohën e kampanjës zgjedhore. Kështu ata janë munduar të marrin informata personale nga njerëzit, raporton Reuters bazuar në informacionet që ka dhënë një kongresmen amerikan dhe dy të tjerë që kanë folur rreth kësaj çështje.

Reuters citon njerëz që kanë dashur të mbesin anonim pasi po zbulonin informacione sensitive të qeverisë dhe private të intelegjencës. Ata kanë thënë se punëtorët në kompaninë Facebook kanë vënë re tentimet për përgjime gjatë raundit të parë të kampanjës presidenciale dhe kanë zbuluar se po përdoreshin mjete që në të kaluarën ishin përdorur nga njësiti GRUi intlegjencës ushtarake ruse.

Llogari në Facebook që u takonin zyrtarëve të kampanjës së Macron ishin hakuar dhe përmbajtjet e tyre ishin lëshuar online nëpër internet përgjatë ditëve të fundit të kampanjës zgjedhore ndërmjet kandidatëve Macron dhe Le Pen.

Organet për zbatimin e ligjit dhe zyrtarë të intelegjencës në Francë nuk kanë akuzuar publkisht askënd në lidhje me këto sulme gjatë kampanjës zgjedhore.

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM