Reshje të vazhdueshme në Shqipëri; përmbyten shtëpi e biznese

4:48 pm 01.12.17

 

Qyteti i Shkodrës nuk ka furnizim me ujë të pijshëm, derisa në Dibër përroi i Peshkopisë ka dal nga shtrati.

Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë bërë që shumë pjesë të Shqipërisë të përmbyten nga uji.

Në Pogradec uji ka depërtuar në disa banesa dhe biznese, ndërsa në Korçë, ku pritet rëndim i situatës në fushën e Maliqit, raportohen probleme në aksin Lozhan-Moglicë ku reshje të dendura kanë sjellë bllokim të rrugës si pasojë e rrëshqitjes së gurëve. E njëjta situatë është në aksin Bilisht-Kapshticë, transmeton Top Channel.

Edhe në Gjirokastër Lumi Drino ka përmbytur qindra hektarë tokë dhe pjesë të qytetit janë nën ujë, ndërsa aksi rrugor Kardhiq-Gjirokastër kalohet me vështirësi pasi ka dalë uji në rrugë tek pika e Viroit.

Në Skrapar përroi i Guakut ka shtuar prurjet duke rrezikuar të dalë nga shtrati.

Në veri të vendit probleme ka dhe në disa akse të thella në zonën e Dukagjinit, ku ka pasur rrëshkitje dherash nga rrjedhat e përrenjve.

Në Bulqizë, në lagjen Allmete, uji i përroit ka dalë nga shtrati duke rrezikuar shtëpitë përreth. Në Rrugën e Arbrit, prane Vajkalit ka rrëshkitje gurësh dhe ujë.

Ndërkohë lumi Devoll dhe përrenjtë kanë izoluar Njësinë Administrative Lenie. Në Gramsh e në Librazhd shumë zona mbeten pa energji elektrike dhe prania e gurëve dhe ujit në disa akse bëri që Ministria e Brendshme t’u bëjë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme qoftë me makinë, e qoftë në këmbë.

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM