‘Reporterët pa kufij’, Kosova e 78-ta në listë: Mediat po vuajnë nga ndërhyrjet politike

10:33 am 25.04.18

 

Është publikuar raporti më i ri për lirinë e medias nga Organizata ‘Reporterët pa kufij’.

Sipas këtij raporti, mediat në Kosovë vuajnë nga ndërhyrjet e drejtpërdrejta dhe tërthorazi nga politika, presioni financiar dhe varësia nga pronarët. Gazetarët të cilët kritikojnë autoritetet kosovare shpesh akuzohen si tradhtarë ose “simpatizues të serbëve”, transmeton Gazeta Express.

“Pak ditë pasi kishte krijuar Qeverinë në shtatorin e vitit 2017, kryeministri Ramush Haradinaj i quajti gazetarët ‘të pashkollë’ dhe i këshilloi që të kthehen në shkollë”, thuhet në përshkrimin e situatës së medieve në Kosovë.

“Dy gazetarë hulumtues u sulmuan fizikisht pasi me raportime kritikuan anëtarët e Qeverisë dhe aleatët e tyre”, thuhet më tej.

“Ndasitë etnike të Kosovës shihen nëpër media, në të cilat shqiptarët rrallë shihen duke punuar përkrah atyre serbë. Megjithatë, Qeveria aktuale duket më e gatshme të flasë me gazetarët dhe mediat në tërësi, për dallim prej dy qeverive të mëparshme, të cilat ishin shumë më pak të hapura për dialog”, thuhet në përshkrimin e Kosovës nga “Reporterët pa kufij”.

Kosova radhitet në vendin 78-të në listën e “Reporterëve pa kufij”.

Shqipëria ka shënuar ngritje për një pozitë. Nga vendi i 76-të sa ishte vitin e shkuar, tani ajo zë pozitën e 75-të në këtë listë.

 

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM