Projektet kundër ngrohjes globale; Tirana shembull suksesi në konferencën e OKB-së

3:00 pm 14.11.17

 

Në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, organizuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Bonn të Gjermanisë, mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Kryeqyteti shqiptar u përzgjodh si një shembull suksesi i bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe BERZH-it në financimin e projekteve miqësore me mjedisin dhe që ndikojnë në lehtësimin e problemeve klimaterike, transmeton Gazeta Shqip.

“Jam shumë entuziast që Tirana është përzgjedhur nga BERZH-i si një histori suksesi për mënyrën se si ka transformuar administrimin e qytetit me një qasje më pozitive, më miqësore ndaj mjedisit, me korsi të dedikuara biçikletash. Jemi ende larg, megjithatë besoj se tashmë Tirana është një histori suksesi që meriton të vazhdojë në këtë drejtim”, tha Veliaj.

Ai veçoi vendimin e Bashkisë së Tiranës për të testuar dhe për të revolucionarizuar të gjithë transportin publik në Tiranë, nga mjete me naftë dhe ndotëse të ambientit, në mjete tërësisht elektrike dhe ekologjike.

Në të kundërt, ai paralajmëroi se nëse operatorët ekzistues të transportit publik në Tiranë apo edhe kompanitë e huaja nuk ofrohen për të sjellë në Tiranë autobusë elektrik, atëherë Bashkia e Tiranës do të ketë një kompani publike të vetën, që do ta ofrojë këtë standard.

Gjithashtu, në kudër të politikave mjedisore ai shtoi edhe investimet e Bashkisë së Tiranës për shtimin e korsive të dedikuara për biçikleta.

“Duke filluar nga viti tjetër do të kemi një pushtim të qytetit me korsi biçikletash, me sinjalistikë vertikale, do të vijnë 2 mijë biçikletat e para në mars dhe 2 mijë të tjera në prill për t’u siguruar që në gjithë qytetin kemi një mundësi me një kosto më të ulet se çmimi i biletës së autobusit, për të përdorur për 1 orë biçikletën nga një cep i Tiranës te cepi tjetër. Besoj që me të gjithë këtë paketë jemi sot një nga qytetet jo vetëm më të pastra nga ana e ndotjes, por edhe qyteti më avangard për sa i përket ruajtjes së mjedisit dhe përdorimit të një transporti efiçent”, u shpreh Veliaj.

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM