Programi qeverisës i ‘Rama 2’: Ekonomi, drejtësi dhe integrim

6:13 pm 10.09.17

 

Të hënën në parlamentin e Shqipërisë do të prezantohet, nga kryeministri Edi Rama, programi qeverisës 2017-2021.

Programi është i përmbledhur në 28 faqe dhe i ndarë në 4 kapituj, transmeton Top Channel.

Pika e parë në programin qeverisës 2017-2021 është ekonomia, ku vendin kyç e zë paketa “Një miliard”, ku do të injektohen më shumë se 100 miliardë lekë në ekonomi. Pjesë e saj është edhe programi për bujqësinë, mjedisin, infrastrukturën dhe transportin, ku ndër projektet prioritare të qeverisë renditen Korridori Adriatiko-Jonian, ndërtimi i Rrugës së Arbrit, akset Fushë Krujë – Shkodër dhe Thumanë – Kashar, si dhe disa “bypass”-e. Turizmi shihet gjithashtu si prioritet për 4 vitet e ardhshme, ku qeveria synon të konsolidojë 4 destinacione turistike kombëtare: Alpet shqiptare, Jugu i ri, portet e marinat, si dhe Tirana.

Qeveria ka ndarë në disa shtylla kryesore fushën e drejtësisë, e cila nis me jetësimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa objektiv mbetet edhe rritja e performancës së Administratës Publike.

Kryeministri thotë se, 2017-2021 do të jetë mandati i investimeve të mëdha në arsim, ndërsa programi për shëndetësinë dhe kujdesin social vjen nën moton “Shëndet për të gjithë”.

Një tjetër kapitull i rëndësishëm, që përmbyll programin qeverisës, është ai i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Integrimit europian dhe shqiptarët në botë. Përmes këtij programi synohet fillimi sa më parë i procesit të negociatave për anëtarësim dhe përmbylljen e kapitujve kryesorë, ku theksohet se shërbimi diplomatik do të jetë në pararojë të këtij procesi.

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM