PD ende pa përgjigje. Sot pritet të sqaroj pozicionin e saj

5:21 am 17.05.17

 

E marta ishte një ditë e çuditshme politike në Shqipëri.

Opinioni priste një reagim të opozitës lidhur me ofertën amerikane për ringjalljen e paketës MckAllister.

Gjatë gjithë ditës Lulzim Basha ka hyrë dhe dalë disa herë nga zyra e Sali Berishës dhe është takuar tre herë me aleatët. Kaq mjaftoi që mediat të shihnin me optimizëm arritjen e një marrëveshjeje, transmeton Top Channel. Selia e kryeministrit ishte më e qetë. Në të hyri vetëm një herë ambasadori Donald Lu. Largimi i ndihmës-sekretarit Yee duket se i la atij barrën e rëndë të negocimit, por sipas maxhorancës në fakt nuk pati asnjë negocim.

Kreu i PD-së thirri në mbrëmje takimin e tretë me aleatët. Ishin pikërisht aleatët që u thanë gazetarëve në mbrëmjen e së martës, se opozita ishte e gatshme të votonte edhe vettingun. Por megjithatë partia demokratike dhe opozita nuk dolën me një qëndrim zyrtar për këtë. Pak para mesnatës së ditës së martë, dhe orësh të tëra pritjeje, selia blu njoftoi se nuk do kishte për këtë ditë, një deklaratë zyrtare prej saj. Si përfundim, me gjithë afatin 24 orësh, përgjigja që prisnin amerikanët nga Lulzim Basha, nuk erdhi.

E mërkura ndoshta do jetë dita kur opozita do të sqarojë pozicionin e saj zyrtarisht, për ofertën e zëvendës-ndihmë sekretarit Yee dhe ndoshta kjo do të sqarojë edhe nëse do ketë një shpresë tjetër për një ditë tjetër negociatash apo ndërmjetësimi.

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM