Noel Gallagher po shijon në maksimum turneun me U2  (video)

9:21 am 20.07.17

 

Noel Gallagher thotë se është duke kaluar momentet më të mira ndonjëherë në një turne, derisa po shëtit gjithandej Evropës bashkë me grupin U2.

Ish anëtari i Oasis është si paraperformues i çdo koncerti që U2 është duke mbajtur në turneun e tyre ‘The Joshua Tree’.

Duke folur për webfaqen e klubit Barcelona, derisa ishte në vizitë te stadiumi Camp Nou, Noel tha vetëm fjalë të mira për momentet me anëtarët e U2.

“Kam qenë nëpër turne përgjatë 25 viteve të fundit dhe tani jam duke kaluar momentet më të mira ndonjëherë,”

“Në skenë qëndroj vetëm për rreth një orë. Largohem nga skena rreth orës tetë, gjysëm në tetë. Marrë diçka për të ngrënë, diçka për të pirë, shikoj U2, më pas dy ditë pushim. Po luajmë nëpër të gjitha qytetet e mëdha në Evropë. Me mua në rrugë i kam edhe familjen dhe shokët. Është e jashtëzakonshme. Ata janë çdo natë të mrekullueshëm. Janë ndër bendet e mija të preferuara,” ka thënë Noel.

 

 

Ndërkohë, derisa ka folur rreth futbollit ai ka kujtuar edhe herën e fundit kur kishte qenë në Camp Nou, në kohën kur ekipi i tij, Manchester City, kishte luajtur kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve.

“Të jesh këtu për të përcjellë një ndeshje – e pabesueshme. Është stadium ikonë në botën e futbollit, një vend i jashtëzakonshëm.”

Kur është pyetur se cilët lojtarë të Barcelonës do të donte t’i shihte te skuadra e Manchester Cityt, Noel është përgjigjur:  “Pak a shumë, të gjithë. Mendoj se do t’i merrnim të gjithë. Dy fëmijët e mi pëlqejnë Neymarin. Messi padyshim. Suarez. Portieri është mjaft i mirë. Kryesori është Messi. Ai është një legjendë.”

Noel gjithashtu tha se shpreson që Pep Guardiola “të mbetet përgjithmonë” trajner i Manchester Cityt.

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM