Ministrja e Integrimeve pret rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave

6:14 pm 07.05.18

 

Delegacioni faktmbledhës i Komisionit Evropian ishte në Kosovë me detyrë mbledhjen e të dhënave rreth zbatimit të kriterit të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kushti i fundit në procesin e gjatë të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë pas takimeve që zhvilloi gjatë fund javës me delegacionin faktmbledhës të Komisionit Evropian, thotë se pret vlerësim pozitiv të plotësimit të të gjitha kritereve për liberalizim të vizave.

“Qëllimi i këtij misioni ka qenë mbledhja e të dhënave për rastet e shenjëzuara të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vet fakti që nga 31 raste kur ka filluar të monitorohet ky kriter, e deri kur ka ardhur misioni vlerësues, ne kemi arritur të kemi 43 raste, tregon se ka pasur progres në këtë aspekt, ku kemi edhe raste të vendimeve të prera nga gjykatat tona dhe rastet tjera që kanë lëvizur, qoftë në instancën e parë apo të dytë gjyqësore”, thotë Hoxha.

Ministrja Hoxha bën të ditur se delegacioni vlerësues nga Komisioni i Evropian ka pasur takime edhe me përfaqësues të gjyqësorit dhe prokurorisë, si mekanizma përcjellës të plotësimit e kushtit të fundit për liberalizimin e vizave.

“Kemi arritur të tregojmë progresin tonë dhe jam shumë optimiste që nga fillimi i qershorit të kemi një rekomandim pozitiv në lidhje me përmbushjen e të gjitha kritereve. Pra, konsideroj që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit. Sipas dinamikës që ka BE-ja dhe duke u bazuar në rastet e vendeve që kanë kaluar në procesin e liberalizimit, jam optimiste që deri në fund të këtij viti, qytetarët tanë të lëvizin pa viza”, thotë Hoxha.

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM