Më 23 shtator mbahet gala show drejtuar nga maestro Shkëlzen Doli  (video)

10:25 am 18.09.17

 

Muzika shqiptare dhe ajo klasike botërore do të prezantohen më 23 shtator në Tiranë përmes një mbrëmje gala e cila do të udhëhiqet nga maestro Shkëlzen Doli.

Nën emrin “Shkëlzen Doli – Albanian Soul”, në këtë natë të jashtëzakonshme do të performojnë rreth 70 instrumentistë, korr, back vocal, balerina, si dhe të ftuar specialë si:

Luca Monti, një ndër pianistët më të famshëm dhe më të talentuar botërorë, i vlerësuar dhe me shumë çmime ndërkombëtare;

Walter Auer, soloflautist i Filharmonisë së Vjenës;

Sebastian Bru, udhëheqës i çelistëve në Filharmoninë e Vjenës;

Mirjam Tola, soprano me famë botërore, një ndër zërat më të mirë shqiptar në arenën ndërkombëtare;

Agron Peni, kitarist virtuoz nga Kosova.

Këngë si “Valsi i Lumturisë”, “Djaloshi dhe Shiu”, këngë kalabreze, tango, valse, balada, potpuri me këngë qytetare shqiptare nga të gjitha trevat do të interpretohen nga orkestra e udhëhequr nga maestro Shkëlzen Doli.

Sheshi “Skënderbej” prej datës 21 shtator do të jetë i bllokuar, pasi do të bëhen testet teknike nga stafi gjermano-austriak dhe do të hapet në oren 18:00 të datës 23 shtator, kur do të nisë dhe hyrja e publikut pjesëmarrës në këtë eveniment gjigand, transmeton Top Channel.

Pothuajse 70% e biletave janë rezervuar dhe shitur, ndërsa numri i të interesuarve për të qenë pjesëmarrës në këtë eveniment është shumë i madh. Biletat vazhdojnë ende të jenë në shitje në çdo agjenci Western Union në çdo qytet të Shqipërisë, si dhe në Kosovë, Maqedoni dhe online në www.myticket.al.

 

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM