Kosova në vendin e 40-të në të bërit biznes

7:00 pm 31.10.17

 

Kosova është në mesin e 10 ekonomive të mbarë botës që ka pasur përmirësimin më të madh në reformat e të bërit biznes, thuhet në raportin e publikuar sot nga Grupi i Bankës Botërore.

Për herë të parë, këtë vit Kosova radhitet në pozitën e 40 nga 190 vende sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, krahasuar me vendin e 60 ku ka qenë vitin e kaluar.

Në këtë raport theksohet se këto dy rangime nuk janë plotësisht të krahasueshme për shkak të rafinimit të metodologjisë në njërin prej dhjetë treguesve të matur nga ky raport.

“Kosova radhitet e dhjeta në krijimin e një biznesi, e 12-ta në marrjen e kredisë, e 48-ta në tregtinë ndërkufitare, e 122 në trajtimin e lejeve të ndërtimit, e 89-ta në mbrojtjen e investitorëve nga pakicat, e 106-ta në furnizimin me energji elektrike, e 49-ta në zbatimin e kontratave, e 45-ta në pagesën e tatimeve, e 34-ta në regjistrimin e pronës, dhe e 49-ta në zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës.:, thuhet në raportin e BB-së, transmeton KosovaPress.

Marco Mantovanelli, Menaxher i Grupit të Bankës Botërore për Kosovën, ka thënë se Kosova ka përmirësuar në vazhdimësi rregulloret e saj për biznes, siç edhe është konstatuar nga treguesit e raportit “Të Bërit Biznes” dhe është duke ngushtuar hendekun me vendet me performancën më të mire.

“Ky është një lajm i mirëseardhur për ekonominë e Kosovës. Megjithatë, nëse këto reforma nuk zbatohen si duhet dhe në mënyrë konsekuente në praktikë, do të jetë e vështirë për Kosovën që të arrijë ndikimin e dëshiruar për rritjen e produktivitetit të firmave dhe për tërheqjen e më shumë investimeve”, tha Mantovanelli.

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM