Këngëtarja e Garbage revoltohet ndaj Morrisseyt për mbrojtjen e Kevin Spaceyt

12:56 pm 20.11.17

 

Frontmenja e bendit Garbage, Shirley Manson, është shprehur me revoltë ndaj deklaratave të Morrissey i cili i bëri në mbrojtje të aktorit Kevin Spacey derisa ky i fundit po përballet me akuza për ngacmime seksuale.

Gjatë fundjavës Morrissey tha se Spacey po akuzohet dhe sulmohet padrejtësisht.

Morrissey e bëri të qartë se dënon çdo abuzim seksual, në çfardo forme, por duke folur për rastin e Spaceyt tha se “personi që konsiderohet si viktimë është thjesht i dëshpëruar,” duke shtuar se “nëse çdo gjë do të shkonte mirë, dhe nëse do të kishin pasur karierë të madhe, ata nuk do të flisnin rreth kësaj ngjarjeje.”

Duke folur specifikisht rreth skandalit që përfshiu aktorin Spacey, Morrissey tha: “Sa unë di, ai kishte qenë në dhomë me një 14 vjeçar. Kevin Spacey ishte në atë kohë 26 vjeç, ai djali 14 vjeç. Unë pyes se ku ishin prindërit e këtij djalit. Unë pyes nëse ky djal nuk e dinte se çfarë do të ndodhte.”

“Unë nuk mund të flas për ju, por në rininë time asnjëherë nuk kam qenë në situata të tilla. Kurrë. Gjithmonë kam qenë i vëmendshëm se çfarë do të mund të ndodhte,” ka shtuar Morrissey.

Më pas, ai ka thënë: “Kur gjendesh në dhomën e dikujt, duhet të jesh i vëmendshëm se si mund të shkojnë gjërat. Prandaj nuk më tingëllon edhe aq bindëse. Më duket se Spacey është sulmuar pa nevojë.”

Pas këtyre deklaratave të ish-frontmenit të The Smiths, ka qenë Manson ajo që ka shkruar në Twitter duke u revoltuar:

“Morrissey e ka humbur gjithë ngjarjen,” ka shkruar ajo.

“Weinstein dhe Spacey janë sulmuar padrejtësisht? Për dhunim, abuzim seksual dhe për ushtrim të forcës, etj. Pirdhu Morrissey! Pirdhu.”

 

 

Përveç akuzave për ngacmim seksual që një aktor javë më parë i bëri aktorit Kevin Spacey, së fundmi ka qenë teatri Old Vic i Londrës që ka konfirmuar se ka pranuar 20 dëshmi personale që tregojnë për sjellje të pahijshme të Kevin Spaceyt derisa ai ishte drejtor artistik në këtë teatër.

Në mesin e këtyre dëshmive, 16 janë nga stafi i kaluar i këtij teatri dhe të gjitha vijnë nga gjinia mashkullore.

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM