Ismail Kadare për gazetën ‘Die Welt’, nga kafeneja ‘Le Rostand’

8:14 pm 26.07.17

 

Shkrimtari Ismail Kadare  është intervistuar me rastin e botimit nga Fischer Verlage, të romanit “E penguara”, përkthyer nga Joachim Rom. Intervista është marrë në kafenenë e preferuar të shkrimtarit “Le Rostand”, ku ka qenë së bashku me zonjën e tij, Helena.

Më poshtë, përmes Gazetës Shqip sjellim tekstin integral të intervistës botuar në faqet kulturore të fundjavës, 22 korrik 2017, të gazetës së madhe gjermane “Die Welt”.

 

Zoti Kadare, Ju jeni shkrimtari më i njohur shqiptar në botë. Përmes jush letërsia shqiptare zuri vend në arenën ndërkombëtare. Çfarë do të thotë kjo arritje për ju, për shqiptarët dhe në veçanti, për Shqipërinë?

Më lejoni të përsëris mendimin e njohur se letërsia, si pasuria shpirtërore më e bujshme e planetit tonë, ka dy tipare themelore: është universale dhe është e përjetshme. Rrjedhimisht për të flasin të gjithë dhe në çdo kohë. Ndoshta kjo është dhe arsyeja që të flasësh për të duket e lehtë, por këtu duhet shtuar se, të bësh gabime, është edhe më e lehtë.

Asnjë shkrimtar nuk e krijon letërsinë për veten e vet. Aq më pak, asnjë popull. Qysh në ditën e parë të saj, ajo krijohet për të gjithë. Anglia edhe të dojë ta mbajë për vete Shekspirin e saj, nuk e ka në dorë. Ai na përket të gjithëve. Nuk ka ndonjë hartë popujsh ku letërsia mund të prodhohet, e një tjetër hartë, që kjo është e pamundur.

Shqipëria, si një vend i vogël dhe i izoluar ishte e panjohur për botën. Si do ta prezantonit ju Shqipërinë para lexuesit të huaj dhe si do ta njihnit atë me Shqipërinë dhe shqiptarët ?

Letërsia nuk krijohet për të bërë të njohur popujt. Për këtë janë të mjaftueshme atlaset, librat e historisë e të tjera si këto. Arti i letërsisë është aq i pavarur saqë në çdo gjuhë që përkthehet letërsia rilind. Këtu qëndron thelbi i magjisë së saj.
Natyrisht që njohja e vendit ose e popullit ku lind një letërsi vjen natyrshëm, por kjo s’është asnjëherë qëllim në vetvete.

Qyteti antik i Trojës është shembulli më tronditës. Qëllimi i grekërve kur e rrënuan ishte që asnjë kujtesë, asnjë gjurmë, madje as emri të mos i mbetej. Mirëpo ndodhi pikërisht e kundërta. Falë artit letrar, Troja ushqeu gati tri mijë vite, madje vazhdon të ushqejë ende sot kujtesën e njerëzimit mbarë.

Nga ky këndvështrim mund të thuhet se rasti trojan është paradoksi më madhështor i botës sonë.

Jeni nominuar shumë herë për çmimin Nobel në letërsi. Krahas pritshmërisë së madhe të adhuruesve tuaj, ju nuk e keni marrë atë. Përse? Çfarë mendoni ju, ku qëndron problemi?

Sinqerisht nuk kam ndonjë përgjigje për pyetjen tuaj. Midis zakoneve të botës sonë janë edhe pyetjet e kësaj natyre. Ka kolegë që bezdisen prej tyre. Mendoj se s’ka vend për bezdisje. Përkundrazi, më duket një zakon i bukur që, kur afron koha e këtij çmimi, ashtu siç ndodh me afrimin e Krishtlindjeve, kur bëhen pyetjet e njohura ku do t’i kaloni festat etj.,etj., shumë njerëz pyesin për këtë çmim. Mendoj se letërsia duhet t’i jetë mirënjohëse kësaj vëmendjeje, qoftë disi naive, të publikut botëror.

Gojët e liga flasin se ju nuk e keni marrë çmimin Nobel për letërsi sepse, sipas tyre, ishit « në harmoni » me sistemin e atëhershëm komunist, sa kohë që ju jeni i njohur si zëri universal kundër totalitarizmit. A nuk qëndron ky pohim në kundërshtim me qëndrimin tuaj? A ka ardhur koha që t’i hiqni qafesh përgjithmonë të tilla deklarime ?

Po nis nga fundi. Ju keni të drejtë, por nuk është punë e shkrimtarëve të merren me sqarime të tilla.

Çështja e raporteve të letërsisë me një regjim tiranik është zakonisht e ndërlikuar. Historia nuk jep ndonjë regjim që të mos ketë patur acarim me letërsinë. Regjimi, sidomos ai totalitar, përpiqet ta fshehë këtë acarim. Madje, shpesh i bën lajka letërsisë, në kohën që bën çmos ta ketë nën kontroll, ta përgjojë, t’i kujtojë burgun, madje vdekjen. Armiqësia midis letërsisë dhe tiranisë buron natyrshëm nga natyra e të dyjave. Dihet se letërsia e ka në thelbin e saj lirinë, emancipimin, demokracinë, ashtu sikurse tirania ka të kundërtën. Te rasti i shkrimtarëve të njohur, sa më e madhe të jetë njohja, aq më dramatik bëhet problemi. Një diktaturë nuk e duron dot autoritetin paralel, pa përmendur smirën, tiparin shpesh numër një të çdo sunduesi.

Një paradoks i njohur shfaqet në këtë rast: në një regjim mizor mund të zhvillohet një letërsi e klasit të parë. Regjimi përpiqet të përfitojë prej saj. Janë të njohura klishetë për letërsinë që e nderon vendin, etj., duke nënkuptuar, madje, regjimin. Letërsia nuk e ka bërë kurrë këtë. Në qoftë se është fjala për nderim, ajo ka nderuar vetveten.

Rendet diktatoriale nuk shquhen vetëm për egërsi, por edhe për dinakëri. Vite me radhë ato kanë përgatitur dosje të fshehta për shkrimtarët, sidomos për përbaltjen e tyre.
Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, kam qenë një ndër të parët që kam kërkuar hapjen e arkivave të fshehta. Sot që po bisedojmë bashkë, pas 27 vitesh, kjo ende s’ka ndodhur. Edhe kur rastësisht është zbuluar ndonjë dokument arkival, në vend që kjo të nxiste kërkimin e mëtejshëm, është rrethuar me heshtje.

Para disa vitesh më ra në dorë, rastësisht, një raport i hetuesisë sekrete shqiptare të vitit 1982. Meqenëse raporti është botuar në shtyp dhe ribotuar më pas, po jua tregoj juve, për të krijuar një ide se çfarë janë këto dosje të fshehta, për të cilat flasin të gjithë, por s’i ka parë askush.

Për çfarë bëhët fjalë në këtë raport?

Në këtë raport kërkohet të vërtetohet se shkrimtari me të cilin ju bisedoni sot, I.K., ka qenë pjesëmarrës i një grupi komplotist, që synonte rrëzimin e shtetit. Siç e shihni, nuk flitet për vogëlsira, por për gjëra « serioze », nga ato që të çonin drejt e në pushkatim.
Ju, po të keni kureshtje, mund ta gjeni lehtësisht atë raport. Eshtë teksti i marrjes në pyetje të ministrit shqiptar të Shëndetësisë, Dr. Ziçishti, vdekur nën torturë në po atë vit. Në raport janë «hollësitë e komplotit», bashkë me emrin e hetuesit, i cili është ende gjallë në Shqipëri, i patrazuar nga askush. I pyetur nga një gazetare e re shqiptare, hetuesi ka pranuar origjinalitetin e tekstit.

Çfarë ka ndodhur pastaj?

Puna është mbyllur me kaq. Ato «gojët e liga» që përmendët ju në këtë intervistë, (midis tyre ka edhe gazetarë të huaj), nuk treguan asnjë interes për këtë dokument, që tregon natyrën e raportit të shkrimtarit me shtetin diktatorial. Pas rënies së komunizmit, s’më ka shkuar mendja të mburrem se paskam qenë pjesëmarrës i komplotit kundër shtetit, sepse thjesht kjo s’ka qenë e vërtetë, por dosja sekrete është aty. Ajo tregon fare qartë se shteti e kishte gati arkivolin për shkrimtarin dhe nuk priste veç urdhrin për të. Gjë që kishte ndodhur në shumë raste të tjera.

A mund ta shtjelloni më gjerësisht fenomenin, duke u nisur nga ky fakt?

Shkrimtari nuk është çudibërës. Ai nuk mund të ndreqë prapësitë e një vendi që ka marrë rrokullimën, siç ka qenë rasti i Shqipërisë komuniste. Ndërkaq, shkrimtari mban përgjegjësi për letërsinë që krijon, në të gjitha rrethanat, qoftë dhe në ato që duken të pamundura. Sidomos shkrimtari i njohur. Sa më e madhe të jetë njohja, aq më e ndjeshme bëhet përgjegjësia.

Meqenëse po bisedojmë bashkë dhe meqenëse ju më bëtë pyetjen, më lejoni të përgjigjem më saktësisht për rastin tim.

Jam bërë i njohur jo pas rënies së komunizmit, kur mund ta përshkruaje zymtinë e tij, pa u rrezikuar nga asgjë. Do të shtoja se nuk e kam shkruar veprën në ndonjë breg liqeni të Zvicrës, pra jashtë Shqipërisë tiranike, por brenda saj.

Ja çka ndodhur saktësisht.

Më 1960 isha një shkrimtar tepër i njohur në Shqipërinë staliniste. Ndërkaq më 1970 ndodhi diçka e rrallë: Pas përkthimit të një libri në Paris, për një kohë të shkurtër fitova njohje botërore, çka në atë kohë do të thoshte njohje perëndimore.
Tronditja nuk është e paktë në një rast të tillë. Për vetë shkrimtarin, për lexuesit e tij, për shtetin komunist, ku ai jeton. Ndërkaq, ajo që mund të jetë dukur si një ngjarje e mrekullueshme, mund të kthehet befas kundër teje. Ashtu siç ndodhi vërtet. Shkrimtari gjendet midis një dyshimi të vazhdueshëm. Në thelb të dyshimit është pyetja: përse bota perëndimore, «borgjezia», armikja jonë e betuar, ndërsa urren Shqipërinë tonë heroike, bolshevike etj., ty të pëlqen kaq fort?

Nuk po zgjatem për gjendjen që u krijua. Shteti paranojak shqiptar u gjend i papërgatitur. Ndaj meje kishte heshtje dhe dosje të fshehta, ndoshta si ajo që ju tregova. Kurse haptas nuk thuhej asgjë. Me sa kam kuptuar, prisnin që unë vetë «t’i tregoja vendin borgjezisë». Me fjalë të tjera, të deklaroja: ju më pëlqeni, por unë jam armiku juaj!
Asgjë e tillë s’ka ndodhur asnjëherë. Nën presionin botëror u lejua takimi i gazetarëve «borgjezë» me mua. Janë dhjetëra intervista të botuara që mund të gjenden dhe unë po ju them me përgjegjësi të plotë morale se nuk ka askund, asnjë paragraf, nga ato që do të ëndërronin stalinistët shqiptarë.
Kjo ishte prova e parë që e kam kapërcyer dhe ku shteti, s’kam ndrojtje ta them, e uli kokën.

Ishte e vështirë kjo?

Natyrisht. Gjithë puna është që ta kesh mbledhur mendjen që të mos shtrembërosh thelbin e së vërtetës.
Desha të nënvizoj këtu se përgjithësisht gazetarët perendimorë, duke e marrë me mend pozitën time të vështirë, kanë treguar kujdes, për të mos ma rënduar atë. Megjithatë donin apo s’donin ata, momenti i rrezikshëm vinte papritur. Sidomos kur intervistat ishin drejtpërdrejt në TV.

Si dukej një moment i tillë?

Më kujtohet një rast i tillë, pikërisht në Gjermani, në TV berlinez. Gazetari më bëri befas një pyetje që ishte, si të thuash, fatale për shkrimtarët që vinin nga Lindja. Zoti Kadare, a mund të shkruani ju kundër regjimit?

Pyetja, e bërë qoftë pa qëllim provokimi, ishte në vetvete më e bezdisshmja e të gjithave. Kisha dëgjuar se nuk ishin të paktë shkrimtarët që ishin zënë ngushtë prej saj. Përgjigjet e tipit se një gjë e tillë s’kishte pse të shtrohej përderisa shkrimtari i intervistuar nuk kishte ndonjë problem me regjimin etj.,etj., ngjanin në çdo rast të varfëra.
Në heshtjen e shkurtër që u krijua, fati më ndihmoi që të ruaja gjakftohtësinë e të përgjigjem me një «jo»! E fill pas kësaj, të shpjegoja arsyen: në vendin tim, ligji e ndalon një gjë të tillë.

Përgjigja dukej më e guximshme se ç’ishte në të vërtetë. Duke u kthyer me avion në Shqipëri, rrugës mendoja se si mund të mbrohesha, në rast se kjo përgjigje ishte gjykuar «e keqe». Gjëja e parë që më vinte ndërmend ishin mijëra pllakatet që mbushnin Shqipërinë anekënd me fjalët: «Rroftë diktatura e proletariatit!». E pra, ky vend nuk e fshihte aspak se ishte diktaturë, me fjalë të tjera, se s’lejonte asgjë që ta prekte, për të ardhur gjer te ndalimi me ligj i «propagandës borgjeze», etj.,etj.

Me veprën letrare ka qenë më lehtë apo më vështirë?

Kjo varej nga rrethanat. Nga viti 1970 e gjer në rënien e komunizmit, pavarësisht nga njohja dhe pranimi në botën perëndimore, unë quhesha shkrimtar i realizmit socialist.
Këtij emërtimi nuk i jepja asnjë rëndësi, përderisa në veprën time ai nuk lozte ndonjë rol. Madje e përdorja termin aq natyrshëm saqë ndonjë nga shokët e ngushtë, gjysmë me shaka, më thoshte se, me sa dukej, quaja kështu atë që shkruaja unë vetë. Sipas tij, tani s’më mbetej veç ta quaja letërsi dekadente atë tjetrën, letërsinë dogmatike, staliniste, etj.

Ndonëse e gjitha kjo dukej për të qeshur, kishte një thelb të vërtetë. Në thellësinë time besoja se, sado paradoksale të tingëllonte, letërsitë dogmatike të kohës, si ajo shqiptare, sovjetike apo kineze, në një kuptim të thellë të fjalës, nuk ishin veçse “dekadente”.
Lidhur me letërsinë që prodhohet në një regjim totalitar, ka gjithmonë, ende sot, keqkuptime. Vetë përdorimi i termit «realizëm socialist», ndihmon në një farë kaosi. Për disa ky është një emërtim i mallkuar dhe janë gati të mohojnë çdo krijimtari, që ka lidhje me të. Për të tjerët, termi nuk ka pse të merret aq seriozisht.
Kam menduar gjithmonë se letërsia qëndron mbi paragjykimet, e sidomos mbi etiketimet. Kjo është arsyeja që jam bërë ndoshta i mërzitshëm me formulën se kam shkruar letërsi normale në një vend anormal.

Në të vërtetë vazhdoj t’i qëndroj kësaj formule. Gjatë bisedës sonë besoj se u sqarua se kam shkruar në tri kohë të ndryshme: njëzetvjeçari i parë 1950-1970, ka qenë kohë tipike e realizmit socialist, me shtet e lexues bashkë. Njëzet vjeçari i dytë 1970-1990, ka qenë përsëri shoqëri socialiste, por me lexues dy llojësh: shqiptar dhe botëror. Së fundi, koha e tretë, ajo paskomuniste, e lirisë së plotë.
Me përgjegjësi të plotë morale mund të them se vepra ime e shkruar në tri kohë të ndryshme, me rreth 40 tituj, brenda dhe jashtë Shqipërisë, është e njëjtë, në përmbajtje, në formë dhe në mesazhe. Asnjë nga librat nuk është mohuar prej meje. S’kam tundur as flamurin e disidentit e as atë të konformistit.
Kam qenë vetëm shkrimtar. E përsëris, i njëjti në të tri kohët. Tigëllon e pabesueshme? Më lejoni t’ju them një kuriozitet: Në këtë ditë që po bisedojmë, në Londër është në zhvillim e sipër konkurrimi për Man Booker Prize, librit më të mirë të huaj të vitit, botuar në Britaninë e Madhe. Në konkurrimin e 2017 janë zgjedhur 12 vende. Midis tyre, vendi im, Shqipëria. Kurioziteti është ky: libri që përfaqëson Shqipërinë, romani im «Kamarja e turpit» , është shkruar rreth 40 vite më parë në Shqipëri. Më lejoni të saktësoj: në Shqipërinë staliniste, bolshevike, armiken numër një të Perëndimit, duke përfshirë edhe britaninë e Madhe!

Dhe në këtë libër nuk ka ndryshuar asgjë, do të thotë ai është botuar në formën origjinale?

Libri s’ka asnjë faqe të ndryshuar. Të shtoj se është një roman për terrorin shtetëror? Edhe kjo është e saktë.

Në vitin 1990 keni kërkuar azil politik në Francë. A mund të na shpjegoni arsyet e ikjes? Perse zgjodhët pikërisht Francën?

Franca për shqiptarët, ashtu si për gjithë ballkanasit, u bë e afërt sidomos gjatë kohës së Napoleonit, si shembull frymëzimi për t’u shkëputur nga sundimi osman. Kronikat tregojnë se në Ballkan, e sidomos në viset e Shqipërisë, pati një kohë kur «Marsejeza» u këndua si këngë patriotike vendase! Kam kërkuar azilin politik, pas një letërkëmbimi të ashpër me presidentin Alia, ku përfundimisht kuptova se asnjë shpresë nuk mund të pritej prej tij, në kohën kur shumë njerëz besonin se ai mund të bëhej si një Gorbaçov shqiptar.

Si qëndron raporti juaj me vendin amë dhe sa ka ndryshuar raporti juaj me Shqipërinë në krahasim me vitet e mëparshme ?

Nuk kam pasur raporte moskuptimi me publikun e gjerë. Përkundrazi, mirëkuptimi ka qenë i plotë në të gjitha rastet.
Popujt e gadishullit ballkanik, në sytë e Europës përfytyrohen zakonisht tepër të ashpër, të prirur më shumë për grindje sesa për pasione lirike. Më duhet të pranoj se ka diçka të vërtetë në këtë pohim. Ndërkaq s’mund të mos them se pikërisht këta popuj, e midis tyre shqiptarët, e duan shumë letërsinë, madje e sublimojnë atë. Është vërtet një befasim që lidhet me të tjera paradokse, si për shembull, qëndrimi ndaj femrës dhe ndaj dashurisë. Më lejoni të përsëris mendimin se vajzat dhe gratë, më shumë se në jetë, ku qëndrimi ndaj tyre s’është për t’u lakmuar, kanë patur fat në art. Rrallë ka zona në botë ku ato të trajtohen si hyjnesha. Ka gjasë që letërsia të ketë përfituar nga kjo.

Meqë ra fjala për gratë. Çfarë roli ka luajtur – dhe luan – në jetën Tuaj gruaja Juaj Helena, e cila po ashtu është shkrimtare?

E kam të vështirë ta përfytyroj se si do të zhvillohej krijimtaria ime letrare e përditshme pa ndihmën e saj. Mbi të gjitha, ajo ka qenë gjatë gjithë kohës së jetesës sonë të përbashkët, lexuesja ime e parë, pra mendimi i parë për veprën, çka për shumë shkrimtarë, ku bëj pjesë edhe unë, ka një rëndësi të pazëvendësueshme.
Shija e saj letrare gjithashtu është e pagabueshme. Nuk po flas për ndihmën tjetër: kalimin në duart e saj të të gjithë procesit të përgatitjes së dorëshkrimit, të shtypjes së tij në ordinator, korrekturës së parë dhe redaktimit dhe gjithfarë çështjesh teknike, për të cilat shkrimtari ka aq shumë nevojë.

Vitin që shkoi një grua e madhe shqiptare, Nënë Tereza, Anjeze Gonxhe Bojaxhiu, u shenjtërua në Vatikan. Komenti juaj?

Ju e merrni me mend përgjigjen time. Ka qenë një krenari e ligjshme. Ndërkaq do të shtoja se kishte një përmasë dramatike gjatë kohës së komunizmit.
Ndërsa gjithë bota e adhuronte, ishte një periudhë kur në Shqipëri nuk flitej për të për dy arsye: e para ngaqë ajo ishte fetare dhe e dyta, ngaqë konsiderohej pjesë e botës perëndimore. Aq e fortë qe kjo trysni saqë me gjithë lutjet e saj, atë nuk e lejuan të vinte të vizitonte familjen e saj, apo thjesht të vinte një tufë me lule në varret e tyre.

Nëse përjashtojmë kohën e komunizmit, Shqipëria është një nga vendet unike në botë për tolerancën fetare. Shqiptarët kanë një tjetër qasje ndaj fesë dhe nuk identifikohen sipas besimit fetar. Si e shpjegoni ju këtë?

Kjo është e vërtetë dhe kjo, nuk e fsheh, më bën të ndihem krenar. Dua të shtoj se ne, popujt e Ballkanit, e kemi disi të lehtë mburrjen. Është një karakteristikë jo fort e lakmueshme, por në këtë rast shqiptarët kanë të drejtë të krenohen.
Shpjegimi duhet të jetë i ndërlikuar. Harmonia fetare është një nga tiparet më të rralla në historinë e popujve. Shqiptarët e kanë pasur këtë tipar në të gjitha kushtet historike: gjatë pushtimit osman, pas çlirimit prej tij, gjatë kohës së mbretërisë shqiptare, gjatë fashizmit dhe, për çudi, edhe gjatë komunizmit, atëherë kur toleranca u duk se i kishte lënë lamtumirën Shqipërisë përgjithmonë.
Do të shtoja këtu se edhe krenaria tjetër legjitime, mbrojtja e përhershme e hebrejve, sidomos gjatë Luftës Botërore, ka lidhje, me sa duket, me harmoninë që u fol më lart.

E dini se Berlini ka një shkollë, e cila nga 2014-ta mban emrin e Refik Veselit, fotografit shqiptar, “Të drejtit ndër popuj” që kishte shpëtuar dy familje hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore?

Jo, nuk e dija. Po e mësoj nga ju. Dhe natyrisht më bëhet qejfi për këtë.

Kur e keni vizituar Gjermaninë dhe çfarë përshtypjesh keni nga shteti gjerman?

Gjermania ka qenë e pranishme në Shqipëri qysh pas rikthimit të saj në Europë. Sipas një tradite, që po vendosej në Ballkan, dinastia e parë mbretërore europiano-shqiptare, ka qenë ajo gjermanike, qysh në vitin 1914, me miratimin e Fuqive të Mëdha. Për fat të keq, këtë fazë të parë të integrimit të Shqipërisë në Europë, (ëndërr që vazhdon ende sot që po bisedojmë bashkë), e prishi Lufta e Parë Botërore.

Pas një mbretërie shqiptare që u mbyll në mënyrë dramatike, Shqipëria përfundoi në një shtet fashist, i cili ra bashkë me boshtin italo-gjerman. Më pas vazhdoi historia e njohur e vendosjes së komunizmit, e miqësisë tepër pasionante me kampin komunist, e armiqësisë po aq pasionante me të, e miqësi-armiqësisë me kinezët, e izolimit të trishtuar, gjer në rënien e komunizmit.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Gjermania Perendimore ishte i vetmi shtet perendimor që, duke përfituar nga armiqësia e Shqipërisë me kampin komunist, u përpoq ta tërhiqte atë drejt Europës. Misioni i ndërmarrë prej Shtrausit ishte i pamundur ngaqë Shqipëria, duke qenë vërtet armiqësore me ish miqtë e saj komunistë, ishte ndërkaq më staliniste se ata!
Nuk ishte e lehtë të kuptohej kjo! Ndërkaq në Shqipëri u përhap një shpresë me «shansin gjerman». Ishte fjala gjithmonë për Gjermaninë Perëndimore. Dy-tre udhëtime të miat, për shkak botimesh në gjermanisht, ndodhën pikërisht në këtë Gjermani «kapitaliste». Kurse në Berlin kam hyrë për herë të parë gjysmë fshehtazi!

Nuk po zgjatem me këtë histori groteske, që vazhdoi deri në kohën që Shqipëria u gjend, më në fund, bashkë me Gjermaninë e sotme, në Aleancën Atlantike.

Mund të them me bindje se pavarësisht nga paradokset e krijuara prej historisë, një ndjesi pozitive për gjermanët dhe Gjermaninë ka qenë gjithmonë e pranishme në Shqipëri. Ka gjasë që shpjegimi për këtë mund të ketë lidhje me mirënjohjen ndaj shkencëtarëve gjermanë, të cilët janë marrë me gjuhën shqipe, më thellë dhe më seriozisht se të gjithë, duke përfshirë edhe vetë shqiptarët. Kjo mund të duket e tepruar në qoftë se nuk keni dijeni për adhurimin pa kufi ndaj gjuhës që, në sytë e shqiptarëve, kishte marrë ndërkaq aureolën e një martireje, sidomos pas ndalimit me dekret të saj nga shteti osman.

Ju falënderoj për kuriozitetin që është vërtet mbresëlënës. Më lejoni ta përfundoj bisedën tonë me një pyetje: Para tre vjetësh presidenti turk Erdogan ishte në Kosovë dhe e quajti Kosovën Turqi. Ç’mendoni për këtë?

Jam në dijeni për këtë deklarim të tij dhe e vetmja gjë që mund të them është se kur e kam lexuar nuk iu kam besuar syve.

 

Intervistoi dhe përktheu në gjermanisht: Vjollca Hajdari, gazetare dhe përkthyese, Berlin

25 korrik 2017 (gazeta-Shqip.com)

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM