Flet nëna e një prej sulmuesve të Londrës: Nuk kam guximin të krahasoj dhimbjen time me të tjerëve

2:52 pm 07.06.17

 

“Është e pamundur për mua të them diçka që do të kishte kuptim,” thotë Valeria Collina Kadhija, nëna e Youssef Zaghba, një prej terroristëve që kreu sulmin në Urën e Londrës.

BBC sjell fjalët e saja derisa ajo është takuar me gazetarë në shtëpinë e saj në Fagnano të Italisë.

Valeria Collina është e konvertuar në Islam. Ajo mban një vello dhe flet ngadalë me gazetarët ulur rreth saj.

“Nga viti 2016 ka pasur probleme me djalin tim – fakti që ai është ndaluar në aeroportin e Bolognas [derisa po tentonte të shkonte në Stamboll dhe më pas në Siri].

“Ai më thoshte ‘Eja nënë të shkojmë të jetojmë në Siri. Atje kanë Islam të pastër.’

“Unë i thash ‘A je çmendur? Nuk dua të shkoj në Siri me ty dhe me askënd. Jam mirë në vendin tim.”

Pasi ai ishte ndaluar në aeroportin e  Bolognas në mars të vitit 2016, policia italiane filloi të mbikqyrte Youssef Zaghban. Këtë veprim e përkrahi edhe nëna e tij. Italianët ndanin informacione me agjencitë intelegjente të vendeve të tjera, përfshirë Britaninë.

Por, 22 vjeçari Zaghba, italian me origjinë nga Maroku, ishte lejuar të udhëtoj jashtë vendit.

“Pas gjithë atij incidenti në aeroportin e Bolognas, unë i thash ‘Duhet të jesh perfekt tani. Nuk duhet të shikosh gjëra të pazakonta në internet apo të takosh njerëz të pazakontë.’ Por më pas, kur ai shkoi në Londër…”

Derisa tregon, znj. Collina ndalet duke iu dridhur zëri.

Ajo tregon se në Londër djali i saj gjeti punë në një kanal islamik të lajmeve. Por ajo ndihej e brengosur pasi ai tingëllonte mjaft i zymtë.

“Dukej serioz në fotografitë e tija. Kështu unë bëja shaka ‘A mund të më dërgosh një foto ku je duke qeshur më shumë?”

 

Youssef Zaghba (i pari nga e djatha) dy sulmuesit e tjerë: Khuram Butt (majtas) and Rachid Redouane (në mes)

 

 

Herën e fundit që ajo foli me djalin e saj ishte dy ditë para se ai të ndërmarrë sulmin në Londër.

“Ishte një telefonatë shumë e ëmbël. Ne folëm normal.”

Pasi dëgjoi për sulmin në urën e Londrës, znj. Collina ishte munduar të bie në kontakt me djalin e saj, por nuk kishte mundur.

Policia e kishte informuar të martën se djali i saj kishte qenë një nga tre personat që kishin kryer sulmin. Tani ajo mendon për familjet e viktimave të djalit të saj.

“Mund ta kuptoj nga tragjedia ime personale. Por nuk kam guximin të krahasoj dhimbjen time me të tjerëve. Sikur kam turp të them ‘Edhe unë jam nënë, edhe unë po vuaj.”

Znj. Collina ka përkrahur vendimin e imamëve në Britani që kanë refuzuar të varrosin djalin e saj.

“E kuptoj se është me të drejtë dhe në detyrë që në këtë moment të jepet ky sinjal i fortë. Na duhen veprime të tilla. Pasi mediat akuzojnë myslimanët se nuk po marrin pozicion. Por ne këtë e bëjmë.”

Ajo gjtihashtu distancon veten nga veprimet e djalit të saj të vdekur.

“Është diçka e tmerrshme. Nuk do të duhej të ndodhte dhe nuk duhet të ndodhë kurrë më. Dhe do të bëjë çdo gjë që mundem që të ndaloj këtë. Kemi nevojë për më shumë edukim për të rinjtë.”

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM