‘Filozofia Moderne’ vjen në shqip përkthyer nga Spartak Ngjela

8:12 am 16.07.17

 

Libri ‘Filozofia Moderne’ nga Roger Scruton tani është edhe në gjuhën shqipe përmes botimeve UETPRESS, përkthyer nga Spartak Ngjela.

“Ky libër është një risi në botën intelektuale shqiptare, e cila ndihet se, deri më sot, nuk është lagur fare nga racionalizmi. Filozofia ende mbetet një fushë e parrahur metodikisht nëpër shkollat shqiptare të të gjitha niveleve, por kjo kuptohet se ka sjellë në elitën e shkolluar shqiptare një vakuum në funksion të idesë.

Libri që po i paraqitet lexuesit të kualifikuar shqiptar është një punim që argumenton nëpërmjet argumentave principalë, konceptet dhe çështjet kryesore të filozofisë moderne”, thotë Ngjela, transmeton Gazeta Shqip.

Roger Scruton ndjehet i lumtur që libri është dhe në gjuhën shqipe. Në parathënie ai tregon udhëtimin plot mbresa në Shqipëri.

“Ishte privilegj kur u njoha edhe me përkthyesin e këtij libri, me të cilin diskutuam tema me interes të përbashkët, si – Kanti, Zoti, bukuria, statusi metafizik i subjektit njerëzor. U preka kur zbulova sa gjëra të përbashkëta kam me ata që kanë jetuar dhe vuajtur këtu. Mësova se babai i Z. Spartak kishte qenë i burgosur në vazhdën e spastrimeve të ‘sabotatorëve’ nga Enver Hoxha dhe Z. Spartak, i burgosur bashkë me të, – meqë bijve nuk u zihet besë – ashtu si nuk mund t’i zihej besë askujt në atë botë paranoje.

Z.Spartak kishte kaluar 15 vjet të jetës së tij në burg, nga mosha 28 në 43 vjeç. Megjithatë, qëndrimi i tij ishte i butë dhe pajtues, a thua se filozofia – ashtu si mua herë pas here, – edhe atij i kishte sjellë një puhizë faljeje, që fryn nga sfera e ideve të pastra. Mbase ishte e pashmangshme që Shqipëria – e tradhtuar tek Stalini nga spiunët tanë në Londër – të binte në duart e një krimineli aq të pamëshirshëm dhe të pafe si Hoxha”, shkruan Roger Scruton.

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM