Çnjerëzore thirrjet e ish ministrit serb, “Mos i trajtoni pacientët kosovarë me kancer”

8:55 pm 25.02.19

Institucionet kosovare po i cilësojnë çnjerëzore deklaratat e ish-ministrit serb të ekonomisë, Dragan Marshiqanin, i cili dje u bëri thirrje mjekëve serbë që të mos i trajtojnë pacientët kosovarë, të cilët vuajnë nga kanceri.

Sipas zyrtarëve të ministrisë kosovare të shëndetësisë, deklaratat e tilla të zyrtarit serb janë për keqardhje dhe vijnë nga një shtet i cili aspiron Evropën. Thonë se nuk i referojnë pacientët për shërim në Serbi. Ndërkohë nga Kuvendi i Kosovës deklarojnë se deklarimet e tilla shkelin të drejtat themelore të pacientëve dhe janë në shpërputhje me Organizatën Botërore të Shëndetësisë

Shumë pacientë kosovarë për çdo vit ua mësyjnë spitaleve në Serbi për të gjetur shërim për sëmundjet, të cilave ilaçin nuk mund t’ua gjejnë në Kosovë. Ka nga ta që vuajnë nga sëmundjet e ndryshme malinje e që shpresë po gjejnë te shteti me të cilin Kosova u ballafaqua me luftë.

Por dikush sot po kërkon nga institucionet shëndetësore serbe që të mos i mjekojnë kosovarët që sistemohen në spitalet e Beogradit e që vuajnë nga kanceri e sëmundjet tjera malinje. Bëhet fjalë për ish-ministrin serb të Ekonomisë, Dragan Marshiqanin.

“Quajeni çnjerëzore, të pashpirt, por unë do të ndaloja që kosovarët që vuajnë nga kanceri të trajtohen në Beograd. Urdhëroj që shqiptarët të trajtoheshin në vendet e NATO-s, pasi që ata i mbuluan me uranium të varfëruar edhe serbët”, ka shkruar Marshiqanin.

Por, një deklaratë e tillë është çnjerëzore për persona të cilët merren me shëndetësinë në vend.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, në një prononcim për Gazetën Express, të hënën ka thënë se secili pacient qoftë ai kosovarë apo i ndonjë nacionalitetit tjetër ka të drejtën e shërimit në çdo shtet të botës.

‘Një deklaratë e tillë e ish-ministrit të ekonomisë, është shumë e çuditshme dhe tendencioze. Mjekësia nuk ka kufi, secili pacient nëse e kërkon shërim kudo që ai ndodhet ai duhet ta marrë”.

Ish-ministri serb, në postim e tij, po ashtu ka shkruar se kosovarët duhet të trajtohen në shtetet anëtare të NATO’së, kjo ngase sipas tij NATO e mbuloi Kosovën me uranium të varfëruar.

Ndërkohë kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, thotë se deklaratat e tilla të ish-ministrin serb të Ekonomisë, Dragan Marshiqanin shkelin drejtpërsëdrejti të drejtat themelore të njeriut.

“Deklaratat e tilla janë shkelje e të drejtave të njeriut dhe nuk janë në përputhje me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Është për keqardhje në çfarë gjendje ka ardh Serbia, po iu pengojnë tash edhe sëmundjet. Gjithçka që po shkon nga Kosova atyre po iu pengon”, ka deklaruar Baftiu për Express.

Pyetur nëse kanë ndonjë informacion për numrin e kosovarëve që shkojnë në Serbi për shërim, ajo thotë se nuk posedojnë të dhëna të tilla.

“Kur është fjala për sëmundje ne e dimë që pacientët tanë kanë kërkuar shërim jashtë Kosovës për sëmundje SHSKUK’ja nuk ka mundur t’ua ofrojë. Ata ato shërime i kanë marrë në  Maqedoni, Shqipëri, besa edhe  në vendet e BE’së por edhe në Beograd dhe ne jemi të njoftuar për këtë çështje”, thotë ajo.

MSH: Janë për keqardhje deklaratat e ish-ministrit serb për pacientët kosovarë

Për këtë punë kanë reaguar gjatë ditës edhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë.

Albatrit Matoshi, këshilltar për media i ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha për Express se deklaratat e tilla janë për keqardhje dhe shqetësuese.

“Sa i përket deklaratave të ministrit serb, nuk janë  të reja dhe aspak befasuese. Ministra serbë me herët kanë urdhëruar edhe vrasjen e shqiptarëve të Kosovës. Prandaj, sot, megjithëse shumë rrethana kanë ndryshuar, mentaliteti serb mbetet I njëjtë në qeverisjen e këtij vendi. Kjo nuk kërkon asnjë koment më shumë sesa keqardhje për mendime të tilla, të një vendi që aspiron Evropën, e në anën tjetër bën thirrje për ndalje të ndihmës shëndetësore edhe për pacientë të cilët ballafaqohen me një sëmundje kaq të rëndë si kanceri”, ka deklaruar Matoshi.

Asnjë kosovarë nuk është dërguar për shërim në Serbi nga ana e institucioneve kosovare

E zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, po deklarojnë se asnjë pacientë nuk e kanë dërguar në Serbi për kurim të çfarëdo sëmundjeje.  Thonë se ata rekomandohen për shërim në Turqi e shtetet tjera fqinjë.

“Ministria e Shëndetësisë nuk e ka dërguar asnjë qytetarë të cilët janë të sëmurë nga kanceri por edhe nga sëmundjet tjera për trajtim në Serbi. Zakonisht ata dërgohen në Turqi apo vende të tjera të Bashkimit Evropian.”, thuhet në deklaratat e MSH’së.
Megjithatë, gjatë gjithë vitit të kaluar në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë për shërim jashtë vendit kanë aplikuar reth 1 mijë e 432 pacientë.

“Prijnë këto klinika me referimet e tyre: Klinika e Syve, Klinika  e Ortopedisë, Klinika e Pediatrisë, Klinika e Onkologjisë”, thuhet në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.

E për gjithë këto raste nga buxheti i shtetit jnë shpenzuar mbi 9 milionë euro. Vendet ku kosovarët e gjejnë çarën për kurimin e sëmundjeve të tyre janë Turqia, Maqedonia, Shqipëria si dhe disa vende të tjera evropiane.

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM