Clark: Shpenzoni në zhvillim ekonomik, për mbrojtje e keni KFOR-in

5:48 pm 15.05.18

 

Gjatë një konference për media të mbajtur në Universitetin Amerikan në Prishtinë, gjenerali në pension Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe gjatë vitit 1999 me qëllim të ndaljes së spastrimit etnik të Kosovës, tha se Kosova e ka KFOR-in dhe duhet të llogarisë në këtë forcë ushtarake, përderisa nuk arrin të normalizojë raportet me Serbinë.

“Po të isha unë në Kosovë, do të llogarisja në mbrojtjen e KFOR-it dhe NATO-s dhe unë më me dëshirë do t’i shihja burimet e Qeverisë të shpenzohen për zhvillimin ekonomik sesa për forcat ushtarake”, tha gjenerali amerikan.

“Besoj se rregulla bazike në ushtri është se duhet të kesh aq forca ushtarake sa ka nevojë për mbrojtjen, sigurinë e vendit dhe jo më shumë”, theksoi ai, duke ua rikujtuar institucioneve të Kosovës të cilat e kanë vënë si prioritet themelimin e Forcave Ushtarake të Kosovës, se shpenzimet për ushtrinë mund të ndikojnë në çrregullimin e zhvillimit dhe të ardhmes ekonomike të vendit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

“Mënyra më e mirë për të siguruar të ardhmen e Kosovës së pavarur e demokratike është zhvillimi ekonomik”, theksoi ai.

“Mendoj që do të vijë koha për KFOR-in që të largohet. Por, mendimi im personal është se kjo nuk është koha e duhur që KFOR-i të largohet”, tha Clark.

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM