Balotazhi nëpër komuna; në pritje të numërimit të të gjitha votave

12:24 pm 20.11.17

 

Votimet në balotazh gjatë ditës së dielë kanë sjellë rezultate të ngushta në disa prej komunave të Kosovës.

Nga faqja zyrtare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u bë me dije se janë numëruar të gjitha votat nga vendvotimet dhe u dhanë rezultatet të cilat, në disa komuna, nxorrën fitues por me dallim prej disa qindra votave ndaj kundërkandidatëve.

Një gjë e tillë ndodhi në Prishtinë, ku Shpend Ahmeti fitoi 307 vota më shumë se Arban Abrashi.

Derisa Lëvizja Vetëvendosje mbrëmë festoi në Prishtinë, Abrashi tha se duhet të pritet numërimi edhe i votave me kusht, me postë dhe të personave me nevoja të veçanta për të mësuar fituesin për të parin e Prishtinës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka njoftuar për numrin e përgjithshëm të votave me kusht, me postë dhe të personave me nevoja të veçanta. Por, KQZ përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke vazhduar puna sipas detyrimeve ligjore, transmeton Radio Evropa e Lirë.

 

 

“Në QNR është duke u punuar me kapacitete të plota dhe KQZ-ja është e përkushtuar që brenda pak ditësh të fillojë me numërimin e këtyre votave për të proceduar më tej drejt shpalljes së Rezultateve Përfundimtare të raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetar Komune dhe nga rivotimi për Kryetar të Komunës së Parteshit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me qëllim të transparencës do të njoftojë me kohë mediat dhe vëzhguesit për fillimin e numërimit të votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës – në mënyrë që të mund ta përcjellin nga afër këtë proces”, thuhet në njoftimin për media të KQZ-së.

Ndërkohë, të drejtën për të votuar e shfrytëzuar 517,360 nga 1 milion e 353 mijë e 613 qytetarë me të drejtë vote.

 

 

URBAN Electro

URBAN Funk

URBAN FM